TORRA VENECIANE

Kulla rrethore (Torra), u ndërtua në shek. XV mbi kullën bizantine. Kjo dëshmohet nga prania e blloqeve nga rrethoja e mëparshme, e fragmenteve arkitektonike dhe e relieveve antike. Kulla ka diametrin 16m dhe lartësinë 9m. Në kullë hyet nëpërmjet një porte në formë harku me tulla. Kulla është e paisur me 5 frëngji dhe 3 ndarje (kthina). Perimetri sipër mbyllet me bedena. Ambienti i brendshëm është ndërtuar me tulla në formë kupole. Ngjitja në lartësi bëhet nga brenda, me shkallë të ngushta e të pjerrta.

HAMAMI MESJETAR

Hamami (banjo) është godinë publike me arkitekturë tipike e periudhës turke. Ajo është ndërtuar në shek. XVIII në këndin juglindor të qytetit mesjetar. Në qendër ka pasur një kupolë sferike me lartësi 5.8m, pajisur me 12 dritare të vogla për ajrosje. Ambientet ngroheshin me avull nëpërmjet tubacioneve qeramikë. Furra gjendet në pjesën e prapme të hamamit. Ka qenë shumë e dëmtuar. U rikonstruktua në vitin 1980.

MUZEU ARKEOLOGJIK

Muzeu Arkeologjik është përuruar më 13 prill 2002. mbi bazën e materialeve të Muzeut të parë arkeologjik, i hapur më 13 mars 1951.
Ekspozita është organizuar në tre pavione sipas periudhave historike. Salla e parë fillon me vitrinën e gjetjeve prehistorike në qytet e rreth. Në rend kronologjik ndiqet pandërprerje historia e qytetit në periudhën arkaike, klasike dhe qytetare ilire deri në shek.I p.e.re. Në vazhdim shpaloset zhvillimi topografik, ekonomik, politik e  kulturor i Dyrrachiumit romak. Në aspektin tematik ky qytet dëshmon praninë e një popullsie autoktone ilire me botë të pasur shpirtërore. Durrësi paraqitet qendër me ekonomi shumëdegëshe dhe që tregtonte me shumë qendra mesdhetare. Mesjeta përshinë 15 shekuj nga shek. V-XV dhe mbyllet me periudhën turke.

PUSI I TOP HANES

Emërtimi Top-Hane tregon funksionin fillestar si punishte për prodhimin e barutit. Prania e burimit të  ujit në lagjen Varosh (jasht kalasë), krijoi mundësinë e ndërtimit të një pusi në shërbim të banorëve të saj, rreth shek. XVI. Ai u ndërtua mbi një bazament  katërkëndësh me gurë, rrethuar me katër kolona graniti të periudhës bizantine të ripërdorura.