PALLATI I MBRETIT “ZOG I ”

Pallati mbretëror u ndërtua në vitin 1937. Ai u projektua në kuotën më të lartë (98m) të kodrave dhe ka një pozicion mbizotërues mbi qytet dhe det. Nga ana arkitekturore përfaqëson stilin e ndërtimit (neoklasicist) i përdorur në fillim të shek. XX.
Në fasadën ballore të Vilës është figura e kryetrimit shqiptar Gjergj Kastriot Skenderbeu, mbi kal, profil djathtas, me shpatë në dorë.

XHAMIA “FATIH”

Xhamia “Fatih”, është e kohës së sulltan Mehmeti II Pushtuesit (Fatihut). Është ndërtesa më e vjetër e kultit islam në vendin tonë. Ajo është ngritur rreth viteve 1502-1503, përshtatur mbi rrënojat e një ndërtesë kulti të krishterë (bazilikë e shek. XI).

BANKA E SHTETIT SHQIPTAR

Banka e Shtetit në Durrës (sot BKT) u ndërtua më 10 nëntor 1928. Themelet e saj janë mbi kullën juglindore të rrethojes bizantine, e quajtur “Bastioni i madh”. Ndërtesa është projektuar nga arkitektë italianë dhe realizuar nga mjeshtrat durrsakë. Nga ana kompozicionale hyn në veprat e stilit barok, që përdorët për herë të parë në vendin tonë. Mbi bankë është vendosur një skulpturë njerëzore (grua) e cila paraqet në mënyrë simbolike luftën, rezistencën dhe fitoren ndër shekuj dhe begatinë e vendit.

MAUZOLEU I DËSHMORËVE

Është objekt përkujtimor i të rënëve të Luftës së Dytë Botërore dhe të kampeve naziste.
Mauzoleu u projektua nga arkitekt Kristo Sotiri (1870-1953). Punimet filluan në vitin 1947. Është i pari dhe i vetmi i këtij lloi, si mauzole, në vendin tonë. Kompleksi i “Mauzoleut të Dëshmorëve” ka planimetri në formë harku. Përbëhet nga tri pjesë kryesore: godina e Mauzoleut, shkallarja dhe lulishtja. Eshtrat e dëshmorëve janë futur në nishe (kamera) të veçanta. Kurse për të rënët në kampet naziste janë përdorur varre përkujtimor (varr pa eshtra). Në dy pllaka mermeri janë shkruar me germa bronzi emrat e të internuarve në kampet naziste.